Të porosisësh pica nga Nigeria në Londër! Shkojnë me avion…

Shpesh mund të jeni mërzitur kur keni porositur pica e ju ka ardhur me vonesë apo e ftohtë, por në Nigeri atë e presin për 6 orë e gjysmë teksa e porosisin në Londër dhe u vjen me avion!

Të paktën ky është pretendimi tejet i çuditshëm i ministrit nigerian të Bujqësisë. Audu Ogbeh, 71 vjeç, foli në Senat duke ngritur shqetësimin e rritjes së importit.

“A e dini, zotëri, se ka nigerian që përdorin celularin e tyre për të porositur pica në Londër dhe e marrin atë në mëngjes në aeroport, teksa u vjen me British Airways?!”, ngriti shqetësimin ministri i Bujqësisë së Nigerisë.

“Është një situatë shumë kritike dhe ne duhet të lëvizim shumë shpejt në ndalimin e disa prej këtyre gjërave”, vijoi më tej ministri. Qeveria nigeriane vazhdon që të kërkojë zgjidhje për të frenuar importin e mallrave që dëmtojnë ekonominë e vendit.

Ndërkohë, kjo deklaratë e ministrit është bërë virale në internet dhe reagimet kanë qenë të panumërta. Madje pati edhe nga ata që bënin ironi, duke iu drejtuar “British Airways”, se “nuk i kishte njoftuar se shpërndanin pica me avion në Nigeri”. “A ka një aplikacion për këtë”, reagon një përdorues i “Twitter”-it.

Shkarkoni aplikacionin e A2