Zgjedhjet në Turqi, kandidati i opozitës fiton në Ankara! – A2

Zgjedhjet në Turqi, kandidati i opozitës fiton në Ankara!

Në Turqi u mbajtën zgjedhjet lokale këtë të diel, ku me mijëra qytetarë iu drejtuan kutive të votimit, në atë që është konsideruar si “referendum” politik për Presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Nga rezultatet paraprake, Partia Republikane Popullore mban një kryesim të brishtë në kryeqytetin Ankara. Ndërkohë, në qytetin me popullsinë më të madhe të vendit, Stamboll, rezultatet janë shumë të ngushta, por opozita është në avantazh edhe në disa qytete bregdetare.

Zgjedhjet e kësaj të diele vijnë në një periudhë të vështirë ekonomike për vendin, pasi Turqia ka rënë në recesion pas shumë vitesh rritjeje ekonomike. Lira turke ka rënë me më shumë se një të tretën e vlerës.

Partia AKP ka dominuar politikën vendase prej 16 vitesh, ndërsa Erdogan i ka quajtur këto zgjedhje si jetike për të përcaktuar mbijetesën e vendit.

Në këto zgjedhje nuk kanë munguar edhe rastet e dhunës. Madje, dy persona janë vrarë në një qendër votimi në Malatya, pasi një qytetar refuzoi të futej në dhomën e fshehtë, duke tentuar të votonte hapur.

Shkarkoni aplikacionin e A2