
Zgjedhjet presidenciale në Sllovaki, aktivistja mund zv/presidentin e KE
Zgjedhjet presidenciale në Sllovaki dhanë një rezultat që pak muaj më parë do të ishte i paimagjinueshëm. Fitorja u sigurua nga 45 vjeçarja Zuzana Caputova, e njohur më së shumti si aktiviste në fushën e mjedisit dhe me pothuajse asnjë eksperiencë politike.
Prej pak muajsh Caputova kishte marrë një vend drejtues në partinë Progressive Slovakia, edhe kjo parti e re që ende nuk ishte përballur ndonjëherë me zgjedhjet.
Caputova fitoi bindshëm me 58% të votave, kundër 42% të kandidatit tjetër Maros Sefcovic, që dukej i favorizuar nga eksperienca e tij si zëvendës president i Komisionit Evropian.

Vota për Caputovën po analizohet si votë proteste ndaj korrupsionit dhe politikës tradicionale, si dhe lidhjes së politikës me krimin, që kulmoi në shkurtin e vitit ë kaluar me vrasjen e Jan Kuciak, një gazetari që po hulumtonte këto lidhje, bashkë me të fejuarën.
Caputova bëhet presidenti i pestë sllovak, nga ndarja e Çekosllovakisë në 1993, dhe e para femër.