Haradinaj sulmon Mogherinin: Na shkaktoi traumë në rajon, devijoi dialogun

Dialogu Kosovë-Serbi është devijuar dhe kryeministri Ramush Haradinaj për këtë drejton gishtin nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini. Shefi I qeverisë së Prishtinës lëshon akuza të drejtpërdrejta ndaj zyrtares së Brukselit ndërsa flet për vështirësitë e realizimit të agjendave europiane.

“Unë bëra shumë kujdes, që të mos them se cilat janë vështirësitë që Agjenda Europiane ka pengesa për t’u zbatuar, por një vështirësi të madhe e kemi nga komisionerja Federica Mogherini për faktin se e ka devijuar dialogun me ndërrim të territoreve. Na ka shkaktuar trauma politike të brendshme e edhe në rajon. Fatkeqësisht një pjesë e energjisë time dhe të qeverisë time është dashur të shkohet atje dhe të kundërshtohet një temë si kjo”
Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës

Gjatë eventit për trevjetorin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, Haradinaj tha se Kosova është Europë, si në gjeografi ashtu edhe në ideologji.

“Një plagë e mbetur në marrëdhëniet Kosovë-BE është mos liberalizimi i vizave. Shpresoj që edhe Qeveritë veç e veç do marrin tani vendim për liberalizim pas votimit në Parlamentin Europian. Kosova nuk eksporton as refugjatë as krim. Por këtu ka rend dhe ligj, ka media të lira”
Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës

Në fund ai tha se shpreson që në kohën kur BE të udhëhiqet nga Finlanda, do të ndodhë liberalizimi I vizave.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN