Informaliteti, tatimet me plan për baret dhe restorantet

Administrata tatimore ka bërë gati një plan për të vendosur nën kontroll sektorin e bareve dhe restoranteve, si një ndër më informalët në vend.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se plani i masave është hartuar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ai do të nisë të zbatohet nga data 15 prill dhe do të shtrihet në të gjithë vendin. Plani parashikon kontrolle në terren për të evidentuar pagesën e taksave nga subjektet, deklarimin e punonjësve, një pjesë e të cilëve janë sezonalë, por edhe ndërgjegjësimin e  qytetarëve për të kërkuar dhe marrë kuponin tatimor.

Në shtator të 2013-ës qeveria ndërmori nismën anti informalitet, me fokus kryesisht biznesin e vogël e më pas kontrollin e kompanive të mëdha nga zyrat në bazë të analizës së riskut. Gati 6 vite më pas, ende nuk është dhënë një shifër zyrtare sesa është ulur informaliteti.