“Nuk iu binda dhe më qëlloi me levë”, i arrestuari tregon si u planifikua grabitja e kambistit

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë për 4 të arrestuarit për vjedhjen me dhunë të kambistit Agron Shira, paraditen e së premtes, prokurori zbardh dëshminë e Elvis Tafës, 35-vjeçarit që u arrestua në flagrancë nga polici rrugor.

Para oficerëve të Policisë Gjyqësore, Tafa ka deklaruar se e ka realizuar vjedhjen me dhunë të kambistit në bashkëpunim me Xhoni Didon. “Të premten dola nga shtëpia në 05:00 dhe shkova për të kuar Xhoni Didon tek “Kthesa e Kamzës”. Atje kemi ndërruar rrobat dhe përmes një motori të Xhonit, kemi shkuar te 9-katëshet. Disa ditë më parë Xhoni më kishte treguar për vendin dhe personin që do grabisnim. Kur mbërritëm te vendi kemi ndaluar motorin dhe kemi bërë sikur po i rregullonim gomën. Pas 20 minutash aty po kalonte kambisti me motor. Xhoni i ra me levë dhe ai ra nga motori. Pasi i mori lekët hipëm në motor, ku i jepja unë dhe u drejtuam nga rruga e Barrikadave. Te kryqëzimi pashë një makinë policie dhe desha të devijoj, por Xhoni më tha të ecja drejt. Meqë nuk iu binda ai me qëlloi me levë dhe kam humbur ekuilibrin duke rënë nga motori. Ai u largua me lekët. Për të kryer vjedhjen na kanë shtyrë Elvis Berisha dhe Blenard Hoxha, të cilëve u kishim borxhe”, mësohet të ketë thënë Tafa.

Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për të katërt, kërkesë që është pranuar nga Gjykata. Tre të arrestuarit e tjerë pretenduan në sallë se nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen, apo me Elvis Tafën.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN