Rendi në Shkodër, Lleshaj: Produkt i një krimi të organizuar, të pjekur ndër vite

Ministri Sandër Lleshaj ka folur gjatë prezantimit të prefektit të ri në Shkodër, Valdrin Pjetri, edhe për situatën e rendit në këtë qytet.

Lleshaj theksoi se situata aktuale është produkt i një krimi të organizuar dhe të pjekur ndër vite, i cili “ka arritur të lëshojë rrënjë për fat të keq në qarkun e Shkodrës”.

“Jemi të gjithë të informuar që niveli i sigurisë në qarkun e Shkodrës është sfiduar disa herë gjatë periudhës, pra gjatë viteve të shkuara. Kemi patur goditje të forta, të rënda në drejtim të sigurisë publike të cilat janë produkt i një krimi të organizuar dhe të pjekur ndër vite, i cili ka arritur të lëshojë rrënjë për fat të keq në qarkun e Shkodrës, por veçanërisht në qytetin e Shkodrës, paradoksalisht në qytetin e Shkodrës, i cili në fakt njihet për kryeqytetarinë e Shqipërisë për vlera të mëdha. Një qark dhe një qytet që i ka dhënë Shqipërisë një pjesë të madhe të vlerave të saj në të gjitha fushat, në histori, në art, në kulturë, në sport edhe në shumë e shumë sektorë të tjerë. Pra ky qytet që i ka dhënë Shqipërisë vërtet pjesë të madhe të vlerave, për fat të keq edhe është goditur nga krimi i akumuluar këtu për disa dekada.

Me gjithë sukseset e mëdha që janë arritur dhe goditjet e mëdha që i janë dhënë krimit, ende mbetet një sfidë e madhe dhe besoj që dhe Drejtori i ri i Policisë, pra drejtori i ri i Drejtorisë vendore të policisë, bashkë me stafin e tij aktual dhe me përforcimet e reja që do të marrë pa asnjë kursim dhe pa asnjë hezitim nga Ministria e Brendshme, besoj që do të jetë në gjendje që të arrijë ta thellojë punën e bërë deri tani, për të garantuar që siguria në Qarkun e Shkodrës do të jetë në nivelin që meriton kultura dhe qytetaria e këtij qarku”, u shpreh ministri Lleshaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN