Zgjedhjet në Turqi, Erdogan fiton, por humbet Ankaranë

Partia e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan humbi kontrollin e kryeqytetit Ankara, në zgjedhjet lokale të së dielës, në atë që shihet si një disfatë e rëndë ne udhëheqjen 16-vjeçare.

Si AKP, ashtu edhe opozita pretenduan fitoren në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll por në një deklaratë kreu i shtetit sugjeroi se kandidati i partisë së tij, kishte humbur edhe atje. Edhe pse e pranoi disfatën në dy qytetet kryesore, Erdogan shtoi se AKP mbetej partia numër 1.

“Çdo fitore dhe çdo humbje përfaqëson vullnetin e popullit tonë dhe ne duhet të pranojmë faktin, siç e kërkon demokracia. Në fituam zemrat e votuesve atje ku triumfuam, por nuk ishim të suksesshëm mjaftueshëm atje ku rezultatin thanë të kundërtën”, u shpreh Erdogan.

Në rang kombëtar, aleanca e drejtuar nga AKP kryeson me më shumë se 51 përqind të votave. Mediat turke thonë se partia popullore republikane e Mansur Yavas fitoi bindshëm në Ankara, ndërsa në Stambollin e udhëhequr deri më tani nga AKP, kandidatët e të dyja partive kontestojnë rezultatin. Partia popullore republikane ruajti, gjithashtu, kontrollin e Izmirit, qyteti i tretë më i madh.

Në të kaluarën, Erdogan ka thënë se zgjedhjet kishin të bënin më mbijetesën e vendit dhe partisë së tij. Votimi u zhvillua mes rënies së ekonomisë dhe konsiderohej si një referendum për lidershipin e presidentit. Mbi 57 milion vetë kishin të drejtë votë për zgjedhjen e kryebashkiakëve dhe pjesëtarëve të këshillave bashkiake.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN