Zgjedhjet në Ukrainë, triumfon komediani pa eksperiencë politike

Një komedian pa asnjë eksperiencë politikë triumfoi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë.

Rezultatet paraprake sugjerojnë se Volodymyr Zelenskiy, i cili imiton presidentin në televizion, siguroi 30 përqind të votave, ndërsa lideri aktual Petro Poroshenko 16 përqind. Të dy ata janë pro europianë të deklaruar dhe pritet të përballen në balotazhin e muajit të ardhshëm.

“Falenderoj të gjithë ukrainasit që nuk panë votimin si një shaka. Jam shumë i lumtur por ky nuk është akti final”, tha Volodymyr Zelenskiy.

Ndërkaq për Poroshenkon, pozicionimi në vend të dytë është një leksion i hidhur. Edhe më i rëndë rezultati për ish-kryeministren Julia Timoshenko, e cila humbet të drejtën për të shkuar në balotazh. Në garë ishin 39 kandidatë, por duke qenë së asnjëri prej tyre nuk mori më shumë se 50 përqind të votave, fituesi caktohet në balotazh në datën 21 prill.

Komediani Zelenskiy, i kthyer në protagonist të këtyre zgjedhjeve, synon të kthejë në realitet shfaqjen e tij satirike ‘shërbyes të popullit’. Aty ai portretizon një qytetar të thjeshtë i cili bëhet president pasi lufton korrupsionin. 41-vjeçari theu rregullat e fushatës duke mos mbajtur asnjë tubim dhe duke dhënë shumë pak intervista. Ai nuk ka shfaqur pikëpamje të forta politike, përpos dëshirës për të qenë i ri dhe i ndryshëm. Gëzon mbështetje masive tek të rinjtë për shkak të përdorimit të gjerë të rrjeteve sociale, por thembra e akilit konsiderohet marrëdhënia me oligarkun më kontravers të Ukrainës, Igor Kolomoisky, i cili i ka ofruar mbështetje të plotë.

Shkarkoni aplikacionin e A2