Basha e akuzoi për blerje votash në Dibër, Sterkaj: Gjysmën e mbështetësve në takim ia çova unë

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Shkodra, shpalosi disa prej piketave të programit të demokratëve për ekonominë dhe arsimin, konkretisht për arsimin e lartë. Duke u ndalur te kauza e demokratëve për zgjedhje të lira e të ndershme, Basha akuzoi Paulin Sterkaj është i përfshirë në dosjen 184 në prokurori, që ka lidhje me zgjedhjet e Dibrës.

“Kemi një ish-trafikant, që pastaj është veshur me uniformë policie dhe është kapur pastaj në dosjen 184 duke bërë pazare me Ymer Lalën për të vjedhur votat në Bashkinë e Dibrës”, tha Basha një ditë më parë.

Në një intervistë telefonike për A2 CNN, zoti Sterkaj u përgjigj se nuk ka gisht në këtë histori dhe është i gatshëm të dalë para drejtësisë nëse do të thërritet. “Në zgjedhje kam punuar në një zonë në Dibër, të Selishtës, në një komunë ku Partia Socialiste nuk kishte fituar kurrë, por për çudi ne fituam atje, por kjo nuk ka lidhje me blerjen e votës, apo financim të paligjshëm”, tha Sterkaj.

“Nuk e di çfarë është kjo dosje, unë gjithmonë, edhe në sport kam qenë gjithë jetën kampion dhe e kam bërë me arbitër. Në polici, nga babai i tij politik, ish-Presidenti Sali Berisha, kam medalje “Shqiponjën e Artë” për kontribut në sigurimin e rendit dhe qetësisë. Edhe dekoratë nga ish-Presidenti Bujar Nishani. Nuk e di të kem ndonjë dosje, por nëse më kërkon drejtësia i vihem në dispozicion në moment”.

Sterkaj ironizoi takimin e Bashës në Malësinë e Madhe, duke thënë se gjysmën e personave të pranishëm i kishte ftuar ai që të dilnin në shesh. “Më vjen shumë keq për liderin e Partisë Demokratike, është i varfër edhe nga llogaritjet matematike, por edhe në njohjen e përfaqësimit të deputetëve sipas zonave. Unë jam deputet i Malsisë së Madhe dhe më vjen keq për të që nuk i ishin mbledhur më shumë se 150 vetë në Koplik, ku prej tyre 75 ia çova unë për ta mirëpritur”, u shpreh Sterkaj.

“Unë përfaqësoj Malësinë e Madhe prej 14 vitesh. Unë bëj pjesë në deputetët që nuk blejnë vota. Shkodra më njeh mirë, më njohin edhe demokratët e Shkodrës sepse kam qenë edhe një mandat deputet i Partisë Demokratike. Unë s’bëj pjesë te deputetët që blejnë vota, unë bëj pjesë tek ata që i shërbejnë komunitetit jo kundrejt lekëve, por kundrejt nevojave dhe halleve. Këtë do ta bëj sa të jem deputet, do t’i shërbej të majtëve e të djathtëve”.

Shkarkoni aplikacionin e A2