Betejat e prindërve me spektrin e autizimit, 1 në 60 fëmijë me çrregullime

Ngjyrat dhe pikturat janë të preferuarat e tij edhe pse spektri që ka e pengon t’i tregojë se si janë.  Sirjani është 15 vjeç  por ka zhvillimin e një 6 vjeçari.

 Ai vuan nga autizimi, sëmundja që i ka shkaktuar dëmtime në komunikim dhe sjellje. Por vetëm një familje që ka fëmijë me autizëm e di se çdo të thotë ky çrregullim.

 Nëna e tij e shoqëron kudo, në terapi, në lojë dhe në shkollë.   Ajo e ka pranuar çrregullimin e djalit por shqetësimi i saj më i madh është bullizmi nga shoqëria.

Si banore e Kamzës ajo kërkon që në shkollë djali i saj të ketë çdo ditë mësues të posaçëm e po ashtu  bashkia të ngrejë edhe qendra zhvillimi për këta fëmijë.  Në Shqipëri nuk ka shifra të sakta të fëmijëve që vuajnë nga autizimi. Por vetëm në Tiranë trajtohen në qendrat komunitare shtetërore 950 fëmijë. Ndërsa referuar të dhënave botërore 1 në 60 fëmijë preket nga çrregullimet e spektrit autik.

Në ditën botërore të autizimit Ministria e Shëndetësisë deklaroi se fëmijët me çrregullime të spektrit do të kenë pagesa të diferencuara në varësi të dëmtimit.  10 mije leke është pagesa që merr nga shteti  çdo muaj një fëmijë me autizëm.

 Ndërsa terapitë e tyre në varësi të çrregullimeve i kalojnë 50 mijë lekët në muaj. Por krahas betejave të përmuajshme të familjeve për të siguruar paratë për terapi, prindërit kanë një lutje për shoqërinë: “Të gjithë fëmijët me autizëm t’i konsiderojnë si gjithë fëmijët e tjerë”.