“Ecja qesharake”, zhvillohet parada në Budapest

Qindra qytetarë marshuan në qendër të Budapestit, në paradën e ecjes qesharake, për të festuar ditën e 1 prillit, sipas komedisë britanike “Monty Python’s”. Benedek Petrok, 27-vjecari që organizoi paradën, tha se qëllimi ishte për t’i dhënë njerëzve një mundësi për të harruar problemet e tyre të përditshme dhe lodhjen.

“Sinqerisht, është një eksperiencë në komunitet e jashtëzakonshme dhe së paku për një ditë, njerëzit mendojnë pak ndryshe”, tha një djalë.

“Shumë njerëz zgjodhën të marrin pjesë në këtë marshim. Është shumë bukur që të paktën njëherë, të ecim përtej normales sonë”, u shpreh një vajzë.

“Mendoj se jeta është mjaftueshëm serioze dhe ndonjëherë në të rrallë, është mirë të luajmë nga pak dhe të lëshojmë veten”, u shpreh një e moshuar.

Pjesëmarrësit, të rinj e të moshuar, nisën marshimin e tyre përqark qendrës së Budapestit dhe përreth hoteleve më të mirë të kryeqytetit hungarez, duke bërë pjesë të paradës edhe turistët e huaj.