KE rekomandim pozitiv për Shqipërinë, Hahn: Duhet pëlqimi i të gjitha vendeve BE

Komisioni Europian do të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është konfirmuar nga eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn.

 Duke folur në Komitetin për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, zyrtari i Brukselit paralajmëroi se Shkupi dhe Tirana duhet të bindin të gjitha vendet anëtare të BE-së që të mbështesin hapjen e negociatave.

 “Në fund të majit do nxjerrim raportin për çdo vend në rajon, përfshirë edhe Turqinë. Pres që në bazë të asaj çfarë kemi parë të japim rekomandim për Maqedoninë Veriore, gjithashtu dhe për Shqipërinë. Megjithatë duhet aprovimi i çdo vendi anëtar në BE, duhet pëlqim unanim nga të gjitha vendet. Nëse plotësohen kushtet, duhet te veprojmë pozitivisht”, deklaroi Hahn.

Komisionieri ripërsëriti edhe njëherë se nuk do të ketë anëtarësim në BE pa zgjidhur çështjet e hapura me vendet fqinje.

“Një tjetër shembull i mirë I bazuar në strategjinë tonë për Ballkanin Perëndimor, të cilën e prezantuam para një viti. Ne thamë se do të pranojmë një vend anëtar të ri, vetëm nëse ky shtet i ka zgjidhur të gjitha konfliktet e tij bilaterale. Ne nuk do t’i importojmë këto konflikte në BE”, tha Hahn.

Eurokomisioneri thekson ndër të tjera se Ballkani Perëndimor ka bërë progres shumë të rëndësishëm në ekonomi, sundimin e ligjit apo në procesin e ripajtimit, por ai pranon se janë shënuar dhe hapa pas, të cilat nuk i përmend.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN