Kërkohet zgjidhja e krizës, diplomati i lartë amerikan vizitë në Tiranë më 9 prill

Faktori amerikan nis të lëvizë në nivele të larta për krizën politike në Shqipëri. Më 9 prill, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Matthew Palmer viziton Tiranën kur palët janë krejtësisht larg një zgjidhjeje politike, teksa ajo po prek kulmin.

 Mësohet se Palmer do të takojë kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës Lulzim Basha. Deri më tani asnjë prej faktorit ndërkombëtar nuk ka marrë rolin e negociatorit për zgjidhjen e krizës dhe mbetet për t’u parë se si do të ndikojë vizita e zyrtarit të lartë amerikan në situatën politike.

Në 2017 kur opozita ishte në muajin e tretë të ngujimit në çadrën para kryeministrisë, para zgjedhjeve parlamentare, kriza u zgjidh nga një tjetër zyrtar amerikan.

 Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Bryan Yee negocioi mes palëve dhe pas vizitës së tij më 17 maj u arrit marrëveshja mes kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës Basha.

 Një zhvillim pozitiv ndonëse një sinjal fillestar ishte vendimi i socialistëve që të mos bëjnë reformë zgjedhore pa opozitën zyrtare, qoftë ajo dhe në rolin e vëzhguesit. Mes rreshtave, në vendimin e socialistëve për të zgjatur me një muaj afatin e komisionit të reformës zgjedhore, tashmë me bashkëkryetar Damian Gjiknurin, nuk duket se do jenë pjesë e komisionit ata që sot po quhen si deputetët e opozitës së re.

Edhe data e vizitës në Tiranë të zyrtarit të lartë të diplomacisë amerikane nuk duket i rastësishëm, nga momenti që takimet e tij bëhen vetëm pak ditë para protestës kombëtare të radhës së opozitës më 13 prill.

Shkarkoni aplikacionin e A2