Ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi, ish-zyrtari amerikan: S’është zgjidhje e këtij shekulli

Shtohen gjithnjë e më shumë zërat që kundërshtojnë ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, ish-zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Thomas Countryman thotë se kjo ide nuk është zgjidhje e shekullit 21. Ai nënvizon se Shtetet e Bashkuara nuk mund të vendosin veto për këtë temë pasi u takon udhëheqësve, qeverive dhe popullit të dy vendeve që të vendosin. Countryman, liston disa pasoja negative që mund të sjellë korrigjimi I kufijve.

“Kjo mund të çonte në diskutimet nëse kufijtë duhet të jenë në bazë të vijave etnike në vende si Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe kjo do të ishte formula për rikthimin e konflikteve etnike dhe destabilizimin e rajonit”, tha Thomas Countryman, ish-zyrtar i SHBA për Ballkanin.

Ish-zyrtari mbështet qëndrimin e administratës amerikane që kundërshton vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe.

“Mendoj se nuk është lëvizje e dobishme nga ana e Qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa në importet e Serbisë dhe Bosnjës. Kjo nuk krijon kushte për një dialog domethënës midis Prishtinës dhe Beogradit. Unë shpresoj se do të shohim një rikthim të dialogut në vend të veprimeve kundër njëra-tjetrës”, tha Thomas Countryman.

Në këtë intervistë, ish përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit flet edhe për ndikimin e Rusisë në rajon. Countryman akuzon Moskën se nuk ka qëllime të mira ndaj Ballkanit dhe se provon ta destabilizojë atë me mënyra të ndryshme.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN