Nga biberoni me diamant te krevati prej floriri, bebja më e shtrenjtë në botë

Nga biberoni prej floriri dhe me diamant që kushton 112 mijë paund apo kostumet Gucci 1320 paund, e deri tek djepi e koleksioni i veshjeve deri në moshën 5 vjeç. Fëmija i parë i princit Harry dhe Meghan Markle që pritet të lindë në muajin prill, mund të quhet bebja më e shtrenjtë në botë, ndërsa dhoma e tij apo e saj, tashmë është gati.

Veshje të personalizuara, xhaketa kashmiri, kostumet për kurse private dhe sende luksi, janë pjesë e dhomës së anëtarit më të ri të familjes mbretërore dhe kosto e tyre është marramendëse.

Stilistët në Londër, që janë kujdesur për veshjet e bebes mbretërore, kanë bërë gati koleksione në të dy ngjyrat, rozë dhe bojëqielli, pasi çifti nuk e ka zbuluar kurrë gjininë. Përveç biberonit me diamant, edhe karroca e tij dhe djepi janë tejet të kushtueshme, flori 18 karat.

Ashtu siç ndodhi edhe vite më parë, teksa Kate ishte shtatzënë, me George Charlotte dhe Louis, edhe këtë herë, tregu i veshjeve për fëmijë pritet të përjetojë një rritje prej 19%, në 6.86 miliardë paund.

Marie Chantal, një butik me veshje për fëmijë në qendër të Londrës, thotë se veshjet e zgjedhura nga Meghan, kanë ndikuar menjëherë në rritjen e shitjeve, pasi veshja më e thjeshtë kushton 350 paund. Por përveç saj, për fëmijën e parë të Meghan dhe Harry ka menduar Gucci, Dolce and Gabbana dhe Burberry.