Raporti i BB: Ekonomia do ngadalësohet, kriza politike rrezik

Rritja ekonomike e Shqipërisë do të ngadalësohet deri në 3.6% në dy vitet e ardhshme sipas Bankës Botërore. Prodhimi i energjisë, që kishte mbështetur gjerësisht rritjen gjatë 2018-ës, do të ketë efekt të kundërt, pasojat e të cilit kanë nisur të ndihen që në muajt e parë të këtij viti.

Sipas institucionit ndërkombëtar, vendi mbetet gjithashtu i ekspozuar ndaj rreziqeve të brendshme e të jashtme. Një ndër to është edhe kriza politike, që mund të pengojë vijimin e reformave, një element kyç për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.

“Në disa vende ka pakënaqësi në rritje nga publiku, diçka që mund të çojë në pasiguri politike dhe një ritëm më të ngadaltë të reformave strukturore. Moszbatimi i politikave të ndërmarra mund të fshijë një progres të rëndësishëm, veçanërisht në anën fiskale. Ndërsa rritja mund të preket nga një rrezik që vjen nga jashtë, nëse do të ketë proteksionizëm në tregti, apo duke u ndikuar nga ecuria më e dobët e Europës, diçka që mund të shoqërohet me kushte më të shtrënguara në tregjet financiare”, deklaroi Maryam Salim, Drejtoreshë e Bankës Botërore në Shqipëri.

Banka Botërore këshillon qeverinë të përshpejtojë reformat, veçanërisht në drejtim të shpenzimeve publike, që dominohen nga pagat e administratës dhe programet sociale të pashënjestruara. Më shumë investime duhet të përqendrohen në shërbimet e shëndetësisë dhe arsimit, për të forcuar kapitalin njerëzor të vendit.

Në vitet e ardhshme pritet që të përshpejtohen ekonomitë e Kosovës, Serbisë, Bosnje Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut. Ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë një ritëm më të ngadaltë.

Shkarkoni aplikacionin e A2