Hajdari: Mazhoranca i shtrin dorën opozitës për reformën e i “shkel syrin” ndërkombëtarëve

Deputetja Rudina Hajdari foli për A2 CNN në lidhje me shqetësimin e saj për reformën zgjedhore. Ajo u shpreh se mazhoranca i shtrin dorën opozitës, ndërsa i shkel syrin ndërkombëtarëve.

“Ajo që ndodhi sot ishte një procedurë e jashtëligjshme, nuk respekton aspak rregullat e Kuvendit. Ai është një kryetar i vetë-zgjedhur sepse ai është një komision që ka mbaruar. Neni 23 thotë se kjo nismë duhet të vijë nga kryetari i Kuvendit ose nga 7 deputetë. Ruçi bëri një projektvendim në mënyrë tinëzare. Ajo nuk ishte përfshirë në rendin e ditës. Unë e kundërshtova pasi nuk ishte një vendim që përputhet me rregullat e Kuvendit, po ashtu dhe me Kushtetutën e Shqipërisë. Ajo që kërkon Gjiknuri për të shtrirë dorën apo për të patur një përfaqësues të PD është jashtë rregullave, pasi PD nuk ka përfaqësues brenda Parlamentit.

Ne duhet të presim për hapat e mëtejshëm. Është një opozitë që kërkon më shumë kohë që të orientohet. Për shembull, disa sot kishin problemet e tyre gjatë votimeve sepse nuk dinin se çfarë po votonin, nuk po shikonin ekranet. Duhet një orientim dhe një organizim, i cili do të dojë pak kohë, por do të ndodhë. Ajo që kërkoj unë nga opozita e re është që ne të kemi disa piketa kryesore për të cilat ne do luftojmë. Një ndër këto është edhe reforma zgjedhore. Ajo që ndodh sot me reformën zgjedhore dhe atë që mazhoranca sot mundohet të shtyjë, është një reformë, e cila nuk sjell asnjë lloj ndryshimi. Është një reformë që thjesht i shtrin dorën opozitës për t’u shkelur syrin ndërkombëtarëve, por nuk sjell asnjë lloj risie për Kodin Zgjedhore. Nëse ne duhet të miratojmë një kod të ri zgjedhor, atëherë duhet ta bëjmë jo për zgjedhjet lokale, por për ato parlamentare”, u shpreh Hajdari.

Shkarkoni aplikacionin e A2