Hajdari: Reformën zgjedhore duhet ta bëjë opozita e re, ftesa e Gjiknurit antikushtetuese

Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar nga foltorja e Kuvendit ndaj ftesës së Damian Gjiknurit, i zgjedhur nga PS në krye të reformës zgjedhore, për opozitën parlamentare për ta pritur deri në 5 maj për të bërë bashkërisht reformën.

Hajdari e quajti këtë ftesës totalisht në shkelje me ligjin dhe në shkelje të kushtetutës. Ajo u shpreh se këtij komisioni i ka mbaruar mandati më 21 shkurt.

“Do të doja të flisja për një kërkesë të ardhur nga deputeti Gjiknuri. Mendoj se kjo kërkesë është e pavend, nga një deputet i vetëshpallur si kryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ky komision është një komision që i ka mbaruar mandati më 21 shkurt të këtij viti, pa dhënë asnjë rezultat. Duhet të kemi parasysh që ata deputet që ishin në Parlament nuk janë më dhe ju e keni bërë atë marrëveshje me ta dhe jo me këtë opozitë të re që është sot këtu. Ne duhet të bëjmë të pamundurën për të ecur përpara dhe prandaj jemi këtu.

Deklaratat e zotit Gjiknuri ishin shëmbëlltyra më e keqe se çfarë ndodh sot me këtë sistem partiak politik në këto 28 vitet e fundit. Gjiknuri, pa pikë turi, jashtë rregullave dhe në shkelje me Kushtetutën, i shtriu dorën opozitës duke u thënë se ju duhet të bëjeni pjesë në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Ata janë qytetarë të lirë dhe nuk mund të kenë mundësi vote. Do t’u them në mënyrë të hapur se çfarë po ndodh dhe ky fjalim është për qytetarët”, u shpreh Hajdari.

Shkarkoni aplikacionin e A2