Laçi-Tirana, sherr mes presidentëve, procedohen në gjendje të lirë

Sherri mes Laçit dhe Tiranës transferohet te presidentët. Numri 1 i Laçit, Pashk Laska, ka goditur presidentin e Tiranës Refik Halili.

Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Tiranë, në një lokal në dalje të kryeqytetit. Sipas burimeve, edhe pse kishin lënë takim aty, situata është tensionuar.

Pas sherrit në korridorin e stadiumit “Selman Stërmasi” të shtunën, ku Laska ishte përsëri protagonist pas një konfrontimi me sulmuesin e Tiranës Michael N’Goo, u duk se gjërat u qetësuan kur takimi i ditë së sotme mes Laçit dhe Tiranës, i vlefshëm për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, u mbyll pa incidente.

Por me sa duket tensionet janë transferuar te dy presidentët e klubeve. Mësohet se Laska e ka ndjekur me makinë Halilin në përfundim të takimit dhe më pas ka ndodhur edhe episodi i shëmtuar. Presidenti i Laçit është shoqëruar në polici, bashkë me dy persona të tjerë.

Ndërkohë, policia ka njoftuar se ka nisur procedimin penal për të dy presidentët, të cilët janë lënë në gjendje të lirë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN