Mbyllet protesta e opozitës, Paloka: Trimi e ciniku do marrë fund shpejt

Pak pas mesditës është mbyllur edhe protesta e radhës e opozitës, në të cilën këtë herë nuk ishte i pranishëm kryetari i PD, Lulzim Basha, për shkak të disa takimeve në Gjermani.

Protesta nisi me një konfrontim të lehtë në bulevard, ku u tentua të çahet kordoni i policisë. Më pas, protestuesit u mblodhën pranë Parlamentit, ku të pranishëm ishin edhe një grup fermerësh. Pas disa shtyrjeve dhe tentativave për të çarë kordonin e policisë e kapsollave të hedhura, protestuesit u zhvendosën pranë godinës së Kryeministrisë. Ata i vunë flakët aty edhe një piramide, e cila sipas tyre, simbolizonte piramidën e krimit në vendin tonë.

Po ashtu si edhe protestat e tjera, edhe kjo e së mërkurës u mbyll në selinë e PD, ku fjalën e fundit e mbajti Edi Paloka.

Ai u shpreh se protestën këtë herë e drejtuan studentët. Paloka theksoi se fundi i trimet e cinikut, siç ai e quajti Edi Ramën, do të marrë fund shpejt dhe ata do të jenë në shesh deri në atë moment. Ai nuk harroi të përshëndes protestuesit edhe nga Lulzim Basha.

“Ju përshëndes edhe në emër të kryetarit të PD, Lulzim Basha. Sot, protestën tonë e drejtuan jo më kotë studentët. Shqipëria që ne duam, është Shqipëria e studentëve në radhë të parë. Pak ditë më parë DASH, e cilësoi qeverinë e Ramës si qendrën e krimit dhe të drogës në Europës, ku krimi i organizuar mblidhet për t’u shpërndarë më pas deri në SHBA.

Jemi në protestë deri sa ai të shporret. Të jeni të bindur se dita që ai kryeministër do të largohet është e afërt. Shumë shpejt do ta shohim trimin, cinikun që mbledh administratën dhe del aty për të bërë gallatë me hallet e shqiptarëve. Shumë shpejt do ta shihni se do të marrë vrapin nga urrejtja e shqiptarëve. Ai nuk e kupton që ne do të jemi në shesh, mbase më pak se një ditë tjetër, një ditë më shumë, por Shqipëria është aty dhe do ta mbysë.

Mund të vazhdojë të mbledhë surrogatë në parlament, por ai është vetëm skema e shfaqjes së fundit të bashkëpunimit me krimin. Ne kemi dalë aty për t’i dhënë fund një sistemi që ka bërë të mundur të mbajë në pushtet Edi Ramën dhe qeverinë e tij të lidhur me krimin. Vendi atyre nuk është aty në Parlament, por në burg”, tha Paloka.

Në fund të protestës, po ashtu si edhe në të mëparshmet, nuk mungoi edhe Himni Kombëtar.

Shkarkoni aplikacionin e A2