Oketa: Ja ku Edi Rama i ngjan diktatorit Hoxha

I njohur për analizën e tij të balancuar, Gazmend Oketa surprizon me krahasimin multidimensional që sipas tij bashkon diktatorin Enver Hoxha me kryeministrin e vendit, Edi Rama.

Dhe përshkrimin  e fillon nga fundi, ose më mirë nga debati mbi financimet ruse për të cilat kryeministri akuzon kreun e opozitës.

Për Oketën, kjo është strategji tërësisht  e marrë hua nga kohët kur thirrjet kundër ndikimit “anglo-amerikan” ishin pjesë e përditshmërisë.  

Madje ai si ish Ministër i Mbrojtjes duket skeptik për tezën e ndikimit rus në Shqipëri, edhe pse nënvizon se “duhet të pranojmë që të gjitha vendet e mëdha, qoftë Kina, Rusia ose SHBA, në një botë globale bëjnë përpjekje për të shtrirë influencën e tyre, dhe normalisht ka një limit, aty ku kjo shtrirje bëhet me mjete ilegale”.

Por Oketa vazhdon krahasimin  e mëparshëm, tashmë në mënyrë simetrike.

“Jemi kthyer në sistem monopartiak”, thotë Oketa, “me një sistem drejtësie që diktatori përdorte për burgosjen e armiqve politikë, ndërsa sot Rama ushtron presionin e tij për të mbuluar skandale si shitblerja  e votës, lidhja me krimin etj”.

Sipas ish ministrit, ashtu si Hoxha, edhe Rama po lufton elitat e vendit, jo duke i shkatërruar dhe internuar si gjatë regjimit, por duke “vënë kriminelë në sallën e Parlamentit”.

Një tjetër ngjashmëri Oketa e sheh në perceptimin e kryeministrit aktual për veten, i ngritur në nivelin e liderit global, ku mund të ndërhyjë qoftë edhe në zgjedhjet amerikane me vlerësime mbi presidentin Donald Trump “që nuk i përkisnin”.

Fjalori është bërë gjithmonë e më i ashpër, pre i një “populizmi ekstrem”. Në këtë pjesë, në politikën shqiptare, nuk është sigurisht i vetmi, ku nuk mungojnë edhe nga ana tjetër, ajo e Oketës, terma si “bijtë e të etërve”, “bllokmenët” etj, por ai nuk nguron të thotë që “nuk është pajtuar kurrë” edhe me atë fjalor.   

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN