Partizani eliminohet nga Kupa, Tirana del e fituar nga humbja në Laç

Partizani tashmë është i përqendruar vetëm te fitimi i titullit kampion, pasi u eliminua nga çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Të Kuqtë u mundën 1-0 në Gjirokastër, ndërsa më parë Luftëtari kishte fituar edhe ndeshjen në Tiranë me rezultatin 2-1.

Për vendasit shënoi Dunga nga pika e bardhë, për një faull të shkaktuar nga Cardoso në dëm të Rapos. Partizani provoi të bënte diçka për të ndryshuar fatin e përballjes në pjesën e dytë, por e kishte të pamundur.

Pak ditë pas episodeve të dhunës në ndeshjen e kampionatit Laçi priti Tiranën për çerekfinalen e kthimit ku u përsëritën pamjet e shëmtuara të “Selman Stërmasit”. Kurbinasit iu afruan shumë mrekullisë duke fituar 2-0, por humbja e thellë në ndeshjen e parë 3-0 e bëri të pamundur kualifikimin.

Në ndeshjen e fundit të ditës, Kukësi eliminoi Teutën për të siguruar biletën e katërt të gjysmëfinaleve. Në takimin e luajtur në “Elbasan Arena”, veriorët triumfuan 1-0 falë golit të Reginaldos, ndërsa ndeshja e parë në Durrës ishte mbyllur me rezultatin 2-2. Ndeshja u zhvillua përgjithësisht e qetë dhe kartoni i parë i verdhë u dha vetëm 8 minuta nga fundi. Por në minutën e dytë shtesë një sherr mes Frashërit dhe Kordeiros bëri që arbitri t’i përjashtonte të dy lojtarët të cilët lanë skuadrat e tyre me nga një njeri më pak në fushë.

Skënderbeu është gjysmëfinalistja e tjetër e Kupës, pasi me Kamzën të përjashtuar, është automatikisht e kualifikuar.

Shkarkoni aplikacionin e A2