Patozi: Protesta nga kombëtare po shndërrohet në një “Astir” të dytë

Astrit Patozi, një nga figurat më të njohura të “disidentëve” që janë larguar nga Partia Demokratike ishte në studio për të komentuar protestën e sotme në llupën më të gjerë të dinamikave politike në vend.  

Sipas Patozit, “protesta e opozitës po shndërrohet në një protestë ‘Astiri’, pra të një grupi që ka një problem por që nuk afekton shoqërinë shqiptare”.

Për ish kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, “perceptimi i publikut është se ky është një hall personal i militantëve apo ca drejtuesve të PD dhe drejtuesve të LSI dhe duke qenë i tillë sigurisht që nuk do të ketë përkrahje. Njerëzit nuk po e konceptojnë si një problem kombëtar, dhe kjo reflektohet edhe në numrat e të pranishmëve. Shoqëria po imunizohet dhe nuk përbën lajm serioz fakti që çdo seancë parlamentare ka një proteste, dhe një herë në muaj një protestë më të madhe”.

Sot lideri i PD-së mungonte, por Patozi ka një këshillë për Bashën: “Nëse ka energji për të shpenzuar, më mire ta shpenzonte në Shqipëri, sepse çdo orvatje jashtë do te jete një përpjekje e palavdishme”, nga momenti që sipas tij “Basha nuk gjen asnjë dyer të hapur në Perëndim, madje edhe po të shkonte në Korenë e Veriut do të kishte probleme”.

“Uroj që ish shtëpia ime politike të zgjohet dhe të kuptojë që ka bërë gabim, por nuk shoh asnjë pendesë. Por nuk mund të presësh reflektim kur vetëvritesh”, thotë Patozi.   

Problemi është i hershëm. “Kam 6 vjet që e them që Shqipëria ka nevojë për çlirim nga partitizmi. Është një gjë e gabuar që ka ndodhur në 2008-ën me ndryshimet kushtetuese. Unë kam votua pro, por me idenë që po pastronim politikën nga biznesmenët, nga të fortët, nga të inkriminuarit”. Dhe çfarë rezultoi? “Rezultoi që u shtuan këta dhe sot ja ku jemi”, shton Patozi.

Po ku e sheh veten Patozi, në Parlament? “Jam votues i të djathtës, midis atyre që dogjën mandatet dhe ata që u futën, unë votoj këta të dytët, edhe pse në kushte normale do të zgjidhja të tjerë” sepse “djegia e mandateve është akt lufte, e justifikuar vetëm me vendin në prag të luftës civile, gjë që nuk shikoj”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN