Rikthehet Icardi, Interi merr përpara Genoa-n

Interi siguron edhe më shumë vendin e tretë në renditje, pas fitores së thellë 4-0 kundër Genoa-s, në javën e 30 të kampionatit italian.

Me rikthimin e Mauro Icardit në majë të sulmit, zikaltrit rifitojnë shpejtësi dhe saktësi, ndërsa harrojnë shpejt humbjen e fundjavës kundër Lazios. Miqtë kalojnë në avantazh pas çerek ore lojë, kur Gagliardini devijon saktë një krosim të Asamoah. Pak minuta më pas është Icardi që trondit shtyllën e Genoas. Argjentinasi do të shënonte në të 39’ golin e dytë për skuadrën e tij, duke u treguar i saktë nga pika a bardhë, pas një penalltie të dhënë për një faull në zonë të Romeros, i cili ndëshkohet edhe me karton të kuq.

Genoa nuk ngre më kokë dhe me dhjetë vet e ka të pamundur të reagojë në pjesën e dytë, në të cilën Interi shënon edhe dy herë të tjera. Këtë herë Icardi jep pasimin e fundit për Perisic, i cili i pamarkuar në zonë nuk e ka të vështirë të shënojë. Pak minuta nga fundi Gagliardini realizon dopietën personale me një goditje të bukur me kokë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN