Serbia blen armë në Rusi, por Uashingtoni mbetet klient besnik

Tregtia e armëve po lulëzon në rajonin e Ballkanit. Kështu të paktën raporton televizioni shtetëror serb, RTS, që thekson se Beogradi ka rritur eksportimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake deri në 14%. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin një nga klientët më të mëdhenj dhe besnikë të vendit.

Gjithashtu bëhet me dije se Serbia do të prezantojë në fund të qershorit arritjet e fundit teknologjike në këtë fushë. Beogradi importon kryesisht armë nga Rusia, ndonëse SHBA mbetet blerësi më besnik I armatimeve serbe.

“Nga prodhimi total, ne eksportojmë mbi 90% sa i përket pajisjeve ushtarake. Ne eksportojmë armë të të gjithë kalibreve, granata, bomba, sisteme të aviacionit, nënkontraktorë për avionë Lasta”, thotë Zhivota Vuçiç, nga fabrika e prodhimit të armëve “Trstenik”. RTS bën me dije se Serbia eksporton armë edhe në Bullgari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipt dhe Arabi Saudite.