Vizita historike në Shkup, Tsipras e Zaev: Epokë e re për Ballkanin

Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev folën për një epokë të re të Ballkanit në konferencën e përbashkët për shtyp, gjatë vizitës historike të kryeministrit grek në Maqedoninë e Veriut. Takimin me homologun grek, Zaev e përshkroi si një moment historik që mundëson një fillim të ri në marrëdhëniet dy palëshe.

“Që nga17 qershori, kur u nënshkrua Marrëveshja, ne vazhdimisht po shkruajmë historinë. Ky takim është një moment historik, për të lënë pas të kaluarën në marrëdhëniet dypalëshe. Ne treguam me vendimet e fundit se gjithçka është e mundur”, tha Zaev.

Marrëveshjen e Prespës, Zaev e cilësoi një hap historik drejt normalizimit të marrëdhënieve. Kryeministri grek Alexis Tsipras foli për një raport të ri të bazuar në themele të qëndrueshme.

“Ne jemi këtu për të gjetur zgjidhje dhe për të parë drejt të ardhmes. Të ndërtojmë ura në vend të mureve. Ne mësojmë nga historia, por edhe krijojmë historinë tonë, ky është vizion kyç për Europën dhe Ballkanin”, u shpreh Tsipras.

Ai siguroi edhe një herë se Greqia do të mbështes Maqedoninë e Veriut deri në anëtarësimit e plotë në NATO dhe Bashkimin Europian, duke theksuar se implementimi i marrëveshjes mes dy vendeve është me rëndësi jetike.

Dy kryeministrat nënshkruan disa marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit në sfera të ndryshme, nga ajo e mbrojtjes tek çështjet europiane. Mes iniciatiave të tjera për të cilat u dakordësuan dy liderët janë inaugurimi i misioneve diplomatike në të dyja vendet dhe krijimi i organizatës kombëtare për zhvillimin e Ballkanit me qendër në Greqi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN