Zguri: Administrata zgjedhore duhet të ketë misionarë të demokracisë dhe jo skllevër të procesit

Klement Zguri, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë raportimit të tij në Parlament ka evidentuar mungesat e procesit zgjedhor, që rrezikojnë zhvillimin transparent të zgjedhjeve edhe në të ardhmen, kryesisht për shkak të “mungesës të vullnetit” të partive politike. Kjo sjellje sipas tij duhet “të marrë fund”, dhe partitë të tregojnë përgjegjshmëri.

Për Zgurin, “sa më shume partitë do të pranojnë transparencën dhe llogaridhënien mbi zgjedhjet, aq më e madhe dhe të jetë kontrolli mbi ligjshmërinë e fushatës, aq më të mira do të jenë zgjedhjet dhe më shumë të rrënjosura standardet perëndimore”.

Zguri denoncon faktin që partitë politike i ndryshojnë komisionarët në mënyrë të vazhdueshme, gjë që cenon “profesionalitetin  e komisionerëve dhe hedh dyshime mbi transparencën e procesit dhe numërimin e votave”.

Për kreun e KQZ-së, Administrata zgjedhore duhet trajnuar dhe të jetë e përbërë nga  “individë që e shohin veten misionarë të demokracisë dhe jo fanatike të partisë dhe skllevër të procesit zgjedhor”.

Zguri i bën apel edhe opozitës që proteston sot përballë godinës së Parlamentit ku po fliste, duke thënë se “zgjedhjet duhet të jenë të ndershme, dhe për këtë jep llogari KQZ, por edhe alternativat duhet të jenë të qarta dhe premtuese, për këtë duhet të japë llogari politika”.

Shkarkoni aplikacionin e A2