Basha: Nga krimi përfitoi “Rilindja”, gati të bashkëpunojmë me socialistët

Në një intervistë për Deutsche Welle, nga Berlini, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, fton të gjithë socialistët që duan ndryshimin që të bashkëpunojnë me opozitën.

“E di se edhe në gjirin e Partisë Socialiste, pjesa më e madhe nuk janë ata që kanë përfituar nga bashkëpunimi me krimin. Ka shumë zëra që konfirmojnë se problemi i kapjes së shtetit nga krimi i organizuar është po kaq problem kombëtar, sa edhe i Partisë Socialiste. Shpresoj që edhe PS të gjejë forcën t’i shërbejë këtij projekti të madh kombëtar, për të ndërtuar bashkë vlerat europiane në Shqipëri”, tha Basha.

I pyetur nga DW nëse kjo ishte një ftesë për Ditmir Bushatin, i cili kritikoi një ditë më parë qeverinë për arrogancën ndaj kundërshtarëve politikë, Basha u përgjigj: “Jemi gati të bashkëpunojmë me të gjithë ata që duan të ardhme europiane për Shqipërinë”.

“Mund të kemi pikëpamje të ndryshme për arsimin, shëndetësinë, ekonominë, por duhet të bashkohemi te vlerat europiane të zgjedhjeve të lira e të ndershme, te Parlamenti i dalë nga votat e qytetarëve, një drejtësi që i ndëshkon politikanët e korruptuar”, shtoi kreu i PD.

Shkarkoni aplikacionin e A2