Juventus, gati të festojë titullin pas Milanit

Kampionët e Juventus janë vetëm një hap larg titullit të 35-të. Ndeshja ndaj Fiorentina-s më 20 prill në Juventus Stadium është data më e mundur sepse Zonjës i nevojiten vetëm 6 pikë për t’u shpallur kampion matematikisht.

Por me humbjen e Napolit ndaj Empolit, skuadra e Allegrit ka shansin të festojë titullin e saj të preferuar që në ndeshjen ndaj Milan këtë fundjavë. Gjithmonë nëse bardhezinjtë triumfojnë dhe napolitanët do të bien sërish përballë Genoa-s. Në këtë rast diferenca e pikëve do të shkonte në 21, 7 javë nga fundime Juventus që ka në favor përballjet direkte.

Një skenar i tillë do t’i japë start festës së Zonjës jashtë stadiumit, njësoj si dy sezone më parë. Përballë këtij fakti, Napoli është i dorëzuar dhe i mbetet vetëm të shtyjë për disa javë festën e bardhezinjve. Juventus kërkon të mbyllë sa më shpejtë llogaritë në kampionat dhe të sigurojë titullin e tetë radhazi në mënyrë që të përqendrohet në Champions atje ku e pret Ajax në fazën çerekfinale.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN