Përdorimi i gabuar i shqipes, pedagogia: I është dhënë përparësi anglishtes

Kryeministri Edi Rama ka sugjeruar që shqipja të futet si lëndë edhe në Universitet, pasi po përdoret në mënyrë “dramatike”, siç thotë ai. Por a do ta përmirësonte gjendjen një nismë e tillë. Për pedagogen e Fakultetit të Histori-Filologji, Rozana Rushiti, problemet janë hershme dhe do të duhet kohë për të arritur rezultate, pasi pavarësisht se nisma propozohet nga Kryeministri, ajo duhet të ndërmerret nga Universitetet.

“Kemi 30 vite që shqipja nuk është zhvilluar as në arsimin e mesëm. Këto janë pasoja që vijnë si rezultat i gjithë sistemit arsimor”, tha ajo në A2 Debat, duke evidentuar edhe një tjetër problem. “I është dhënë shumë më tepër përparësi gjuhës angleze, se sa asaj shqipe dhe kjo është arsyeja pse gjendja është kështu. Janë politikat që kanë ndjekur qeveritë”, shtoi ajo.

Ndërsa për pedagogen tjetër, Anila Çepani, vërehet një mospërfillje e përgjithshme ndaj përdorimit të saktë të gjuhës, edhe nga ata që e zgjedhin vetë si degë. “Studentët që vijnë në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë supozohet që e kanë zgjedhur vetë këtë degë dhe niveli i njohurive duhet të ishte edhe më i madh. Por fatkeqësisht vihet re që shumë pak janë ata që janë të ndërgjegjshëm në përdorimin e gjuhës”, tha Çepani.