Stoltenberg në Kongres, paralajmëron aleatët ndaj kërcënimit rus

Në një fjalim të rrallë para Kongresit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mbrojti me forcë aleancën 70-vjeçare mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara, duke i bërë thirrje aleatëve të tregohen më të vendosur ndaj Rusisë. Moska është bërë më agresive, tha ai, duke përmendur shkeljet ndaj traktatit të forcave bërthamore me rreze të mesme veprimi..

“Pozicioni i NATO-s është i unifikuar dhe i qartë. Rusia ka shkelur traktatin. Nuk ka raketa të reja europiane në Europë, por ka raketa ruse. I kam bërë thirrje vazhdimisht Moskës të respektojë paktin e forcave bërthamore me rreze të mesme veprimi, por nuk është marrë asnjë masë. Nuk duam një garë armësh apo një luftë tjetër të ftohte, por nuk duhet të tregohemi naiv”, tha Jens Stoltenberg.

Stoltenberg e përdori fjalimin e tij edhe për të argumentuar me forcë se NATO-ja është “aleanca më e suksesshme në histori”, edhe pse Presidenti Donald Trump shpesh është shprehur skeptik për këtë.

Fjalimi i tij u prit me brohoritje të gjata nga anëtarët e Kongresit. Stoltenberg, i cili ka qenë dy herë kryeministër i Norvegjisë, pranoi dallimet që ekzistojnë midis vendeve të NATO-s për tregtinë, energjinë, ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera, por tha se në demokraci kjo është shenjë force.

0Kreu i NATO-s u takua të martën me Presidentin Trump, i cili tha se presioni i tij që vendet e NATO-s të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre ka shtuar dhjetëra miliarda dollarë më shumë kontribute, por aleatët mund dhe duhet t’i rritin edhe më shumë buxhetet e tyre.

Shkarkoni aplikacionin e A2