Veshjet e përdorura, një industri 24 miliardë dollarëshe në SHBA

Treg për mallra të përdorur, San Francisko, Kaliforni

Sektori me më shumë rritje në industrinë e veshjeve në SHBA është ai i atyre të përdorura. Në vetëm tre vitet e fundit, rritja ka qenë tre herë më e madhe se sa sektori i veshjeve të reja, zbulon një studim i publikuar në faqen e Forumit Ekonomik Botëror.

Sipas tij, vlera e kësaj pjese të industrisë arrin në 24 miliardë dollarë në vit dhe brenda dekadës së ardhshme do të dyfishohet për të arritur në 51 miliardë dollarë në vit.

Për shumë persona, blerja e rrobave të përdorura ishte deri para disa vitesh diçka me “damkë”, por gjërat kanë ndryshuar. Sipas studimit të “ThredUP”, 26% e personave që blejnë veshje luksoze, zgjedhin mall të përdorur, ndërsa përqindje pak më të ulëta vihen re te veshjet mesatare.

Në tregun amerikan, kategoritë që preferojnë më tepër të blejnë veshje të përdorura janë brezi i quajtur “Millennials”, ose ata të lindur në fillim të viteve 1980 e deri në mesin e viteve 1990, por edhe prindërit e tyre, ose personat e lindur pas Luftës II Botërore deri në vitin 1964. Të dy bashkë, ata përbëjnë 64% të tregut. Megjithatë, studimi thotë se brezi i të rinjve, të grupmoshës 18-24 vjeç, pritet të rritet me shpejtësi për shkak të rritjes së shitjes së veshjeve të përdorura në internet.

Por studimi thotë se ky trend nuk vjen për shkak të pamundësisë ekonomike të personave për të blerë veshje të reja, por të ndikuar nga fryma e “ruajtjes së ambientit” ata po përpiqen të kursejnë natyrën edhe në këtë pjesë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN