Alibeaj: Vendimi i opozitës zgjoi nga “letargjia” dhe faktorin ndërkombëtar

Enkelejd Alibeaj, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2 CNN, nga ku u shpreh se djegia e mandateve dhe protestat kanë zgjuar nga letargjia edhe faktorin ndërkombëtar, siç e quajti ai.

Më shumë se 1 muaj nga djegia e mandateve, Alibeaj u pyet se a ka entuziazëm brenda opozitës? “Ka më shumë se kurrë. Më shumë se sa dje dhe më pak se sa nesër. Kjo nuk është çështje e diskutimit të optimizmit. Ai ishte një veprim i natyrës politike, me anë të të cilit ne besonim se do të sillte një impakt si brenda dhe jashtë vendit. Të dhënat janë të tilla, kemi zhvilluar 8 protesta dhe tashmë kemi mbështetje popullore. Por ka krijuar edhe një zgjim të faktorit ndërkombëtar, të cilin e kishte kapur letargjia, me atë parullën e famshëm: “stabilokracia për kundër demokracisë”. Unë besoj se është tronditur tashmë. Ne synonim të tregonim gjendjen reale të vendit. Situata tashmë është e njohur. Nuk besonim se për një muaj e gjysmë gjërat të ndryshonin kaq shpejt”, tha Alibeaj.

Më tej, ai tha se synimi i opozitës është të krijojë një atmosferë që shqiptarët të votojnë të lirë dhe në mënyrë të barabartë.

“Është kuptuar nga të gjithë se gjithmonë që ka zgjedhje ndodh që në fushën e betejës hidhen paratë e krimit, bandat dhe administrata dhe të gjitha këto të varura nga Edi Rama. Prandaj ne kërkojmë që ai të mos jetë më kryeministër, kjo tashmë e provuar”, tha Alibeaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN