Gjoni: Duhet riformatim i Republikës dhe ndryshim i sistemit zgjedhor

Në “Dita Jonë”, Ralf Gjoni foli ndër të tjera dhe për marrëdhëniet e tij me Monika Kryemadhin, por edhe për arsyet se pse ai është bërë pjesë e Parlamentit dhe çfarë synon të arrijë.

Ralf Gjoni është shprehur se nuk ka asnjë marrëdhënie me Kryemadhin. “Nuk kam asnjë marrëdhënie me kryetaren aktuale të LSI. Kemi pasur marrëdhënie bashkëpunimi gjatë momenteve në parti. E di që ka thashetheme mediatike, letra… se unë jam përjashtuar nga partia, por unë nuk di të jem përjashtuar nga kjo parti. Me linjën aktuale të lidershipit të LSI, unë nuk kam qenë dakord. Fillimi është dalja në opozitë me PD. Mua më duket një veprim i nxituar dhe i panevojshëm. Unë mendoj se është një kulturë pozitive bashkëqeverisja”.

Më tej, ai e vlerëson si të ndryrë kodin aktual zgjedhor dhe thotë se duhet të ndryshojë menjëherë. Madje, Gjoni thotë se është për një ndryshim edhe në formatin e republikës.

“Kanë bërë kodin e ndyrë zgjedhor. Tashmë e kanë kuptuar shqiptarët, se ndryshimet e bëra në mënyrë klandestine brenda natës përmes një marrëveshje. Është mendimi dhe opinioni i shumicës së shqiptarëve që nuk janë dakord me listat e mbyllura.

Deputeti me këtë merret harton ligje e depoziton, në asnjë moment nga 2008 deri në më sot, nuk ka pasur asnjë nismë ligjore për ndryshimin e sistemit ligjor. Çfarë të kushton të hartosh një ligj?! Unë këtë do ta bëj. Arsyeja që kam hyrë në parlament është vetëm për sistemin zgjedhor dhe votën e diasporës. Duhet një konsensus kombëtar. U bëj thirrje të gjithëve, të bashkojmë forcat dhe të ndryshojmë sistemin. Jo vetëm kodi zgjedhor, por unë mendoj se duhet riformatuar edhe formati i republikës sot, duke përfshirë edhe mënyrën se si zgjidhet Presidenti i Republikës. Unë do të isha për një Presidencë pak më të fortë. Nuk duhen bërë vetëm arnime politike”, u shpreh Ralf Gjoni.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN