Kërkesa e re e May-t për BE-në: Brexit të shtyhet deri më 30 qershor

“Brexit të shtyhet deri me 30 qershor”. Kjo është kërkesa e re e kryeministres britanike Theresa May e paraqitur në një letër dërguar presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk.

Sipas shefes së qeverisë Londineze, kjo shtyrje do të lejojë ligjvënësit e përçarë britanikë të dakordësohen për një marrëveshje largimi. Gjithashtu May nënvizon në letrën e saj, se nëse një ujdi arrihet përpara 30 qershorit, atëherë Britania do të propozojë që shtyrja të përfundojë më herët.

“Qeveria dëshiron të dakordësohet për një periudhë kohore për ratifikimin e ujdisë që lejon Britaninë e Madhe të largohet nga Bashkimi Europian përpara 23 majit të 2019-s në mënyrë që të shmanget pjesëmarrja në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Megjithatë ne do të vazhdojmë të bëjmë përgatitjet e nevojshme për të mbajtur zgjedhjet”, tha Theresa May, kryeministre e Britanisë së Madhe.

Pavarësisht kërkesës së May, duket se presidenti Tusk ka plane të tjera për Brexit. Sipas asaj që raportojnë burime pranë shefit të Këshillit Europian, ai do të propozojë një shtyrje fleksibël 12 mujore për largimin e Britanisë nga BE.

Në këtë plan do të përfshihet edhe opsioni i ndërprerjes së shtyrjes, nëse Dhoma e Komunëve ratifikon ujdinë për Brexit. Por ky propozim duhet të pranohet në mënyrë unanime nga liderët Europianë javën e ardhshme, kur zhvillohet dhe samiti I jashtëzakonshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2