Lufta për skajin verior të Tokës, CNN viziton bazën ushtarake ruse në Arktik

Rusia po bën përpjekje të fuqishme për të dominuar Arktikun. Gazetari i CNN, Frederik Pleitgen udhëtoi me ushtrinë ruse drejt skajit më verior të tokës ku gjendet baza ushtarake më e afërt me Shtetet e Bashkuara.

“Fluturojmë përmes Veriut në detin e ngrirë të Arktikut në një avion ushtarak Rus. Rusët po bëjnë përpjekje të mëdha në përditësimin e infrastrukturës së tyre ushtarake në Arktik. Disa nga bazat e tyre janë plotësisht operacionale. Aktualisht po fluturojmë drejt një prej tyre”, Frederik Pleitgen, reporter i CNN.

Ata e quajnë këtë hapësirë “Tërfili i Veriut”. Ushtria ruse ka vendosur raketa mbrojtjeje dhe sisteme të specializuara antiajrore, të ndërtuara për të funksionuar në të ftohtë.

“Ky kompleks është përshtatur për kushtet më të këqija të mundshme të motit në Arktik. Funksionon në temperaturë minus 45 gradë celsius”, thotë Egor Ogarkov, kapiten në ushtrinë ruse.

E gjitha kjo është pjesë e strategjisë së Valdimir Putin për të dominuar Arktikun. “Kjo hapësirë ka një mision të qartë, të mbrojë interesin e Rusisë në skajin më verior të globit. Dhe ndërsa akulli këtu është bërë më i dobët për shkak të ngrohjes globale, interesat ekonomike po bëhen më të rëndësishme”, thotë reporteri i CNN.

“Tërfili i Veriut”, është baza ushtarake më e afërt me Shtetet e Bashkuara. Ajo mund të strehojë deri në 250 ushtarë dhe përveç arsenalit të armëve është e pajisur me radarë të fuqishëm për t’u siguruar që Amerika dhe aleatët e saj të mos afrohen.

“Baza jonë zhvillon kontrolle me radar, monitoron hapësirën ajrore, siguron lundrimet në Detin e Veriut dhe eliminon dëmet për mjedisin”, tregon Vladimir Pasechnik, major i ushtrisë ruse.

Administrata Trump duket se nuk i ka pajisjet e duhura për të rivalizuar Rusinë në Arktik, ndërsa Moska zgjerohen dhe fortifikon pozitat e saj në këtë zonë të rëndësishme. Amerika dhe aleatët e saj nuk mund të sfidojnë as fuqinë e flotës së Rusisë, e cila çan akullin e Arktikut.