Agjencia e Kadastrës, Braçe prezanton drejtor Artan Lamen

Zëvendëskryeministri Erion Braçe prezantoi Artan Lamen si kreun e Agjencisë Shtetërore të Pronave, në të cilën janë shkrirë në një Hipotekat, ALUIZNI dhe Agjencia e Pronave.

Përveç rreshtimit të statistikave që parathonë sfidën që ka kjo strukturë e re me problemet e pronësisë në vend, Braçe paralajmëroi ndjekjen penale për të gjithë ata punonjës shteti dhe qytetarë që do tentojnë korrupsionin. Kësaj linje i mëshoi dhe drejtori Lame.

“Kemi rreth 220 mijë familje fshatare me aktin e marrjes së tokës në përdorim të paregjistruar. Kemi gati 10 përqind të banesave para vitit 1991 të paregjistruara. Kemi ende 160 mijë prona, 96% e totalit që iu ka kaluar njësive vendore, dhe që janë ende të paregjistruara. Kemi ende 10 përqind të territorit të vendit, ku nuk ka filluar procesi i regjistrimit fillestar, ku nuk është bërë ajo që qytetarët e njohin gjerësisht si azhornimi. Rëndësi të veçantë në këtë drejtim merr unifikimi i regjistrave në kadastrën digjitale, që përfshin gjithë hartografinë e pronës”, tha Braçe.

“Barra është e jashtëzakonshme, por rrugë tjetër veç kësaj të ndërmarrë nga qeveria shqiptare nuk ka. Zgjidhja e çështjes së pronësisë vazhdon të mbetet “Thembra e Akilit”. Njerëzit vazhdojnë të vriten e të përfundojnë gjyqeve për çështje pronash. Reforma do të jetë në 3 drejtime. Do të jetë një reformë thelbësore në hartografi. Reformë thelbësore në shërbime dhe në sistemet e shërbimit dhe reformë thelbësore në burimet njerëzore”, tha Artan Lame.

“Kërkoni shërbim? Merrni shërbim. Mos paguani asgjë që nesër mund t’iu kthehet në të kundërt. Përtej caqeve që ofron ligji, në vepër penale, qoftë për nëpunësit apo për atë që mendon se mund ta blejë shërbimin përmes parave që paguan në sportel”, tha zëvendëskryeministri.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN