City në finalen e Kupës, mbetet në garë për “pokerin” e trofeve

1 7 600x338

Manchester City rikthehet në finalen e Kupës së Anglisë për herë të parë që prej vitit 2013, pasi mundi Brighton 1-0 në gjysmëfinalen e parë, të luajtur në “Wembley”. Nesër skuadra e Pep Guardiolas – e cila do të luajë finalen e 11 në historinë e saj – mëson kundërshtarin, që do të dalë nga përballja Watford – Wolverhampton.

Citiznes kanë fituar deri tani Kupën e Ligës dhe janë ende në garë për titullin kampion por edhe në Champions League, ku i presin dy sfida kundër Tottenham.

Gabriel Jesus shënoi golin e vetëm të ndeshjes me një goditje të bukur me kokë në pjesën e parë, por përveç golit, City nuk tregoi shumë në lojë. Në pjesën e dytë morën kontrollin, por nuk arritën të shfrytëzonin rastet që patën. Madje ishte Brighton që rrezikoi të barazonte, por nuk ia doli falë një ndërhyrjeje fantastike nga Aymeric Laporte.