Luftëtari bën “bis” ndaj Partizanit, Tirana zhytet në renditje

Pasi e eliminoi nga Kupa e Shqipërisë, Luftëtari mposht Partizanin në Tiranë, duke i hequr një mundësi të artë për t’u shkëputur edhe më tepër nga Kukësi në garën për titullin kampion.

Gjirokastritët kanë fituar 3-1 në kryeqytet, duke përmbysur avantazhin fillestar të Partizanit, që shënoi që në minutën e katërt me anë të Dilaver Dukës.

U mendua një ndeshje e fituar për skuadrën e Skënder Gegës, por miqtë arritën të kthenin rezultatin që në pjesën e parë. Fillimisht Dunga shënoi bukur nga brenda zonës në të 38’, ndërsa në të 44’ po ai shënoi golin që i dha Luftëtarit avantazhin. Keniani realizoi tripletën personale ndaj “Të Kuqve” kur në të 70’ shënoi edhe golin e tretë, një gjuajtje spektakolare që mbylli llogaritë e takimit.

Në ndeshjen tjetër, Flamurtari mundi 1-0 Tiranën në Vlorë, duke e rikthyer pranë zonës së ftohtë të renditjes, me Kastriotin që tashmë është vetëm 4 pikë larg. Xhevahir Sukaj shënoi golin e vetëm të takimit. Një humbje që vë në vështirësi bardheblutë, duke rikthyer në memorie sezonin e mbrapshtë të dy viteve më parë, kur skuadra ra nga kategoria.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN