Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

21 të vdekur në Libi, tërhiqen amerikanët

Nga A2 CNN
7 Prill 2019, 20:00 | Bota

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka tërhequr kontingjentin e trupave nga Libia këtë të diel pas rifillimit të luftimeve në kryeqytetin Tripoli. Lajmi u konfirmua për CNN nga komandanti i trupave amerikane për Afrikën.

“Siguria është e paparashikueshme në Libi për momentin”, tha Gjenerali i Marinës Thomas Waldhauser. "Megjithatë, do të vazhdojmë të mbetemi në mbështetje të strategjisë së qeverisë amerikane”. Trupat amerikane, të cilat sigurojnë mbështetje ushtarake për misionet diplomatike, aktivitetet kundër terrorizmit dhe përmirësimit të sigurisë rajonale, momentalisht kanë ndryshuar vendndodhje.

Lufta kaotike vazhdon prej vitesh në Libi, por ditët e fundit situata është tensionuar përsëri, pasi Gjenerali Khalifa Haftar po avancon drejt kryeqytetit. Të dielën, e ashtuquajtura Ushtria Kombëtare Libiane, e drejtuar prej tij, tha se kishte goditur nga ajri forcat e mbështetura nga OKB në jug të Tripolit.

Nga ana e saj, qeveria që gëzon mbështetjen ndërkombëtare, raportoi se 21 vetë kishin humbur jetën, ndërsa 27 të tjerë janë plagosur nga luftimet e të dielës. Ndërsa forcat rebele raportuan për 14 luftëtarë të humbur.

OKB bëri thirrje për një armëpushim prej dy orësh për të bërë të mundur evakuimin e civilëve, por nuk është e qartë nëse ai u zbatua. Kryeministri Fayez al-Serrajj akuzon Gjeneralin Khalifa Haftar se po kërkon të realizojë një grusht shteti. Prej vitit 2011, kur edhe u rrëzua lideri Muammar Gaddafi, Libia vazhdon të jetë e përçarë nga lufta, situatë që ka ndikuar në shndërrimin e brigjeve të vendit në pikën më të sigurt të nisjes për anijet klandestine të mbushura me refugjatë nga Afrika të cilët duan të mbërrijnë në Europë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani