Jonida Maliqi zbulon përgatitjet për Festivalin Europian dhe këngëtarin e saj të preferuar

Në një intervistë për një prej kanaleve të Eurovision Song Contest në YouTube, nga Amsterdami, Jonida Maliqi ka folur për këngën me të cilën do të garojë në Festivalin Europian në Tel Aviv këtë vit.

Duke shpjeguar mesazhin e këngës, fituesja e Festivalit të RTSH për vitin 2018 thotë: “Flet për emigracionin, një çështje globale dhe personale. Mos harroni të ktheheni në tokën tuaj, tek rrënjët tuaja. Mos harroni origjinën, gjakun, familjen. Keni një identitet, mos e harroni. Sa herë që e këndoj këtë këngë kam emocione”.

“Kur e ndjen vërtet një këngë, punon me energji pozitive me të. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Unë jam rritur në skenë, kam nisur të këndoj që kur isha 9 vjeç. Tani jam më e pjekur, por kjo është një këngë shumë personale për mua”.

E veshur me një bluzë me portretin e yllit të muzikës pop Michael Jackson, Jonida tregon se ai është këngëtari i saj i preferuar. “Ishte Mbreti im, idhulli im dhe mendoj që ishte unik. Kam qarë kur ai vdiq. Jam rritur me këngët e tij. Kënga e preferuar prej tij është Earth Song”, thotë këngëtarja shqiptare.

Festivali Europian i këtij viti, edicioni i 64-t, do të zhvillohet në Izrael. Nata e parë do të jetë më 14 maj, ndërsa finalja e madhe më 18 maj 2019.

Shkarkoni aplikacionin e A2