Meta në Durrës i kujton politikës: Dialog, jo kokëfortësi dhe mitingje të panevojshme

I pranishëm në Durrës në ceremoninë përkujtimore me rastin e 80-vjetorit të nisjes së rezistencës antifashiste kundër pushtimit të Shqipërisë, presidenti Ilir Meta, pas homazhit të bustit të Mujo Ulqinakut, i cilësuar si shembull i “sakrificës më sublime në emër të dinjitetit kombëtar”, Ilir Meta nuk ka reshtur t’i bëj sërish një apel politikës.

Duke nënvizuar faktin se ai beson “vetëm te dialogu dhe vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik”, presidenti kujton se si vendi ka bërë përparime gjatë transicionit të saj, që nuk duhen humbur me përballjen institucionale të këtyre muajve.

Presidenti theksoi se “pas vitit 1997 vendi ka bërë përparime të rëndësishme dhe i nxis e i inkurajoj të gjithë politikanët e përgjegjshëm kudo ku ata ndodhen, në mazhorancë apo në opozitë, të tregojnë që në këto 22 vite Shqipëria jo vetëm ka bërë përparime, por që edhe këto 22 vite nuk mund të shkojnë dëm” nga ngërçi që këto muaj është simbolizuar sipas tij nga “ mitingje dhe antimitingje të panevojshme”, duke parë edhe sezonin turistik në horizont, jetik për ekonominë e vendit.