Tre muaj heshtje për Teatrin Kombëtar, bie vrulli i protestës

Nga A2 CNN
7 Prill 2019, 14:43 | Aktualitet
Tre muaj heshtje për Teatrin Kombëtar, bie vrulli i protestës

Një vit më parë artistët e skenës teatrale dolën në protestë, për Teatrin Kombëtar, ndërtesë që u tha se do të prishej. Kjo ka qenë beteja artistike që ka bërtitur më fort. Artistët thoshin se historinë që mbart ajo, qoftë edhe në muret e plasaritura nuk mund ta fshijë askush. Por çfarë po ndodh sot me teatrin?

Sipas Kastriot Çipit, një nga iniciatorët e protestës, “që në 13 dhjetor ka kaluar afati për shpalljen e garës, pra nuk ka më asnjë veprim. Kjo ka ulur vrullin e protestës sepse kur nuk ke kundërshtar nuk ke konflikt. Por nuk i besojmë Ramës sepse e dimë që në momentin që e braktisim ftojmë fadromat që të vijnë”.

Edhe pse më të paktë në numër ata që vijojnë këtë betejë janë çdo ditë aty, në ora 19.00 për të folur mbi këtë godinë.

Nuk ishin të paktë ata që u larguan nga kjo betejë. Artistë si Robert Ndrenika apo Arben Derhemi që i pamë në krye të protestës, e rimenduan kur panë projektin e teatrit të ri, por gjithnjë duke refuzuar që Teatri Kombëtar të ishte Arturbina.

Për Arben Dërhemin, ArTurbina “është pallat sporti jo skenë teatri”, ndërkohë që për Lart Vasilin “është bekim të kesh ujë të ngrohtë, të kesh dushe, të kesh kabinë ku mos të kesh ftohtë të ndërrohesh”.  

Përtej dokumenteve të firmosur nga arkitektë e inxhinierë, ndërtesa i mbijetoi edhe kapriços së natyrës. Ajo që mendohej se do të ndodhte, shembja e kësaj ndërtese me të parin tërmet a lëkundje, nuk  ndodhi. Godina mbijetoi, bashkë me ata që ende e mbrojnë atë ashtu siç është. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos