Berisha-Bashës: Fitorja të bën lider, duhet të “kalosh detin në këmbë”

Protesta e 13 prilli dhe organizimi i saj bëri që selia blu të nisë javën me takime të kreut demokrat Lulzim Basha dhe përfaqësuesve të kësaj partie.

Burime për A2 CNN, bënë me dije se në fjalën e tij në mbledhjen e kryesisë Basha është shprehur optimist për një pjesëmarrje masive te qytetarëve. “Kemi të gjithë situatën në favor”, mësohet të jetë shprehur Basha. “Ne jemi de fakto shumicë. Që pas djegies së mandateve, PD ka një rritje të menjëhershme edhe mes të pavendosurve. Jemi shumicë absolute në çdo sondazh të pavarur vendas dhe të huaj”, mësohet të ketë thënë Basha, duke deklaruar kërkesën e pandryshueshme për largimin e Edi Ramës dhe qeveri tranzitore”.

Duke analizuar sondazhin, ish-kryeministri Berisha vlerësoi nivelin e lartë të partisë, pavarësisht kuotës ende të ulet të kryetarit.

Por, sipas tij, strukturat ruajnë skepticizmin derisa kryetari të shënojë fitore dhe pastaj ato ta quajnë lider.

“Kryetari bëhet lider kur e çon partinë në fitore. Vetëm atëherë të thërrasin lider, e deri atëherë kryetarit i duhet të kalojë detin në këmbë”, mësohet të jetë shprehur Berisha, sipas të cilit sondazhet po flasin në favor të PD.