Dorëhiqet Nielsen, sekretarja për sigurinë kombëtare e SHBA

Kirstjen Nielsen, sekretarja për sigurinë kombëtare e cila u bë imazhi i fushatës së Donald Trump kundër emigracionit, dha dorëheqjen.

 Lajmin e bëri të ditur presidenti amerikan Donald Trump përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

“Sekretarja për sigurinë kombëtare Kirstjen Nielsen do të largohet nga posti, dhe unë dua ta falënderoj për shërbimin e saj”. Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se ajo do të zëvendësohej përkohësisht nga komisioneri për sigurinë në kufij e dogana Kevin McAleenan.

Nielsen e cila ishte përgjegjëse për implementimin e planit për murin ndarës  me Meksikën dhe ndarjen e familjeve të emigrantëve, u shpreh e nderuar për punën e kryer.

Nielsen dhe Trump

“Ishte një nder i madh të punoja krah burrave dhe grave të guximshme të departamentit të sigurisë. Nuk mund të jem më krenare dhe e përulur për shërbimin dhe dedikimin e tyre”, tha Nielsen.

Ish zyrtarja e lartë nuk dha arsye për largimin në letrën e dorëheqjes, por sipas burimeve të cituara nga CNN, vendimi nuk ishte marrë prej saj.

Burimi pretendon se ajo ishte vënë nën presion për tu dorëhequr.  Njoftimi për largimin e sekretares për sigurinë vjen disa ditë pasi presidenti vizitoi kufirin jugor.