Kriza politike, Meta: Duhet kthesë 180 gradë

Presidenti Ilir Meta nuk e fsheh zhgënjimin me krizën politike në vend. Duke lënë pas idenë e vetësakrifikimit, kreu i shtetit shqiptar ia pasoi topin dy forcave politike kryesore, për të gjetur zgjidhjen mes tyre.

“S’e fsheh dot faktin që nuk jam i kënaqur me situatën aktuale, për të cilën shpresoj të marrë një kthesë 180-gradëshe të arsyeshme sa më shpejt të jetë e mundur dhe më mirë herët se sa më vonë, duke pasur parasysh gjithashtu rolin shumë të rëndësishëm që Shqipëria duhet të luajë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si një faktor vendimtar për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha Meta.

Deklaratat e Presidentit u bënë në Kopenhagen të Danimarkës, ku mori pjesë në mbledhjen e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të OSBE, organizatë të cilën Shqipëria do të drejtojë vitin e ardhshëm.

“Shqipëria gjatë Kryesimit të radhës së OSBE-së në vitin 2020 do të ketë prioritete realiste: qytetarët, multilaterizëm efektiv, dialog dhe rezultate. Gjithashtu Shqipëria përkushtohet për tejkalimin e sfidave të sigurisë, forcimin e platformës së OSBE për dialogun, bashkëpunim dhe siguri, si edhe për ndihmën ndaj vendeve drejt rrugës europiane dhe euroatlantike”, ishin disa nga mesazhet që kreu i shtetit dha në fjalimin e tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2