May nën trysni, kabineti: Jo shtyrje të gjatë të Brexit

Kryeministrja Theresa May po përballet me trysni në rritje nga kabineti i saj për të shmangur mundësinë e një shtyrje të gjatë të Brexit, ndërsa raundi i fundit i bisedimeve ndërpartiake për arritjen e një kompromisi mbi Brexit, nuk pritet të prodhojë ndonjë rezultat konkret. Përgjigja e May erdhi të dielën përmes një videoje, ku bëri thirrje për zgjidhje kompromisi. Megjithëse e vlerësuar për stilin informal, ajo nuk ofroi ndonjë propozim të ri për t’i dhënë fund ngërçit.

“Qëndrimi i qeverisë është se ne absolutisht duhet të shkëputemi nga Bashkimi Europian, duhet ta çojmë Brexit deri në fund. Kjo nënkupton se duhet të arrijmë një marrëveshje përmes një qasje të re dhe bisedimeve ndërpartiake”, tha May.

Ndërsa laburistët duan të mësojnë lëshimet që mund të ofrojë May pas thirrjes dramatike të javës së kaluar për konsensus, koha për dakordësimin mbi një plan të mundshëm nuk premton. Nëse Brukseli nuk dakordësohet për një tjetër shtyrje, Brexit do të ndodhë të premten në 12 prill.

May ka kërkuar një pause deri ne 30 qershor, por unioni propozon që shtyrja të zgjatet deri në një vit. Por Andrea Leadsom, lidere e Dhomës së Komunëve tha për BBC se ideja e një zgjatje përtej zgjedhjeve europiane ishte absolutisht e pranueshme.

“Bashkimi Europian dëshiron ta evitojë një Brexit pa ujdi, por ajo që duam të shmangim ne, është pjesëmarrja në zgjedhjet europiane”, tha Andrea Leadsom, lidere e Dhomës së Komunëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2