Ministri serb: Shqipëria e Madhe është krijuar tashmë

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin u rikthehet deklaratave polemizuese. Në një intervistë për portalin “Veçernje Novosti”, zyrtari i qeverisë së Beogradit thotë se “Shqipëria e Madhe” nuk ekziston akoma gjeografikisht por sipas tij politikisht është e pranishme.

“Shqipëria e Madhe është krijuar tashmë. Çështja mbetet sa pjesë nga vendet e tjera do të përfshihen. Me hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO, të gjithë Shqiptarët, përjashtuar dy bashki të Serbisë, do të jetojnë në një zonë sigurie unike dhe në një hapësirë politike të NATO-s. Jetët e të gjithë shqiptarëve do të drejtohen nga Tirana”, u shpreh Vulin.

Ai gjithashtu thekson se në rastin e një ndarje të mundshme të Kosovës, çështja duhet të zgjidhet me anë të një referendumi. Vulin tha ndër të tjera se beson që zgjidhja më e mirë është ndarja mes serbëve dhe shqiptarëve. Sipas tij kjo duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN