Kriza politike, Arta Dade: Të largohet Rama, pse jo Braçe kryeministër

Arta Dade u shpreh në emisionin “I Ftuari” të Endri Xhafos se nuk do ta miratonte dorëzimin e mandateve të opozitës, por në anën tjetër, ajo thotë se për t’i dhënë një zgjidhje situatës politike në vend të largohet Rama.

“Ambasadori italian tha sot se mazhoranca duhet të hedhë një hap për të zgjidhur problemin. Unë kam qenë me këtë variant, madje unë kam shkuar edhe më tej, duke thënë se Kryeministri duhet të largohet në mënyrë që ta zgjidhë dhe ta zhbllokojë këtë situatë. Të largohet si kryeministër jo se e kërkon opozita, por ka një intensitet shumë të lartë skandalesh. Vetëm njëra do të mjaftonte që një kryeministër në një vend demokratik të largohej dhe kostot e kësaj qeverie nuk ka pse i merr forca politike që mendohet se e ka mandatuar këtë qeveri.

Më tej, Dade flet edhe për Partinë Socialiste, duke thënë se ka një dualizëm, madje zbulon edhe arsye pse refuzoi të futet në kryesinë e PS.

“Këtu kemi një dualizëm, qeveria është diçka tjetër dhe PS është diçka tjetër. Këtu buron dhe refuzimi im për t’u futur në kryesinë aktuale të partisë. Madje në kongresin e fundit nuk më është dhënë fare edhe mandati i delegates. Jam interesuar për mandatin dhe ai ka shkuar deri në Korçë e jo në destinacion. Pra, nuk ka shkuar te PS e Kolonjës. Se kush i bën këto… uroj që të jetë e paqëllimtë. Kjo tregon se partia nuk funksionon. Partia dhe Kongresi i fundit ishte një shoë dhe unë prandaj them se kjo qeveri nuk barazohet me Partinë Socialiste. Kjo është një qeveri e Ramës, i cili është një kryetar që nuk është zgjedhur prej 12 vitesh. Deri tani Rama ka bërë vetëm pazare, nuk ka bërë kompromise. Një politikan që mendon vërtetë për interesat e vendit duhet të jetë i interesuar që të ketë marrëdhënie pozitive me të gjithë aktorët në vend dhe jo të stisë konflikte, pasi kjo tregon se nuk je i zoti të qeverisës”, u shpreh Arta Dade.

Dade flet edhe se kush mund të ishte një kryeministër potencial, nëse Rama do të largohej.

“Edhe nëse do të mendonim se PS nuk ka një njeri tjetër për t’u bërë kryeministër, ky është një qëndrim shumë i gabuar. Për mua, çdo ministër që ka një mandat përfaqësimi, por ama që ka edhe përgjegjësi politike, sigurisht që mund të ishte një kryeministër potencial. Pse jo edhe Erjon Braçe, është zëvendëskryeministër”.

Por e pyetur, nëse ky mund të ishte edhe Gent Cakaj, ajo përgjigjet: Gent Cakaj nuk ka fare lidhje me PS, vjen nga oborri i Ramës. Një nga arsyet që unë dola publikisht e nuk durova më, ishte pikërisht ajo që u bë me Ministrinë e Jashtme, emërimi i një njeriu pa përvojë dhe pa personalitet. Kjo është tallje me institucionet e vendit”.